Vrasja e Erald Nevruzit/ Familjarët e Qoses dhe Lartit jashtë gjykatës, përcjellin mes lotësh furgonin e policisë: Mos u mërzit zemra e nënës

Gjykata e Vlorës ka lënë sot në burg pa afat dy punonjësit e hotelit “Greccia” në Dhërmi ku u vra me armë zjarri nga Gerald Shehu, recepsionisti Erald Nevruzi. Teksa furgoni i policisë me David Qosen dhe David Lartin po dilte nga gjykata familjarët e tyre që kishin ardhur nga Korça, kanë pritur mes lotësh dhe përshëndetur nga jashtë.

Avokatja e njërit prej të arrestuarve, Besa Begaj shprehet se sot ishte seanca për njohje të masës së sigurisë, arrest në burg dhe që gjykata të pranojë kërkesën e prokurorisë, çështjet e tjera i përkasin hetimeve të mëtejshme.

Para gjykatës, dy të rinjtë kanë shfaqur pendesë dhe kanë përsëritur se të gjitha veprimet i kanë bërë pasi pronari i ka kërcënuar me armë.

Ata kanë zhdukur të gjitha provat e vrasjes, duke djegur sendet personale, telefonin dhe rrobat e 31-vjeçarit në furrën e picerisë. Pas arrestimit, ata patën deklaruar në polici, se vrasja ka ndodhur pas një konflikti mes autorit dhe viktimës, ku pasi kanë dalë nga dhoma e stafit, Shehu e ka qëlluar Nevruzin me dy plumba tek shkallët e hotelit.

Pas vrasjes dhe hedhjes së trupit, autori i krimit Greald Shehu ka përdorur pikën e Kalimit Kufitar të Qafë Botës për të kaluar drejt Greqisë. Pas kësaj ai shkoi në Igumenicë e më pas me traget drejt Korfuzit. Ai pretendonte të shfrytëzonte më pas aeroportin e ishullit për të udhëtuar drejt Anglisë, por në këtë aeroport është vënë në pranga nga policia vendase. Drejtori i policisë, Muhamet Rrumbullaku tha se po vijohet me procedurat për esktradimin e tij, ndërsa pritet edhe dëshmia e autorit për zbardhjen e shkaqeve që çuan në vrasjen e të riut. Nga hetimet e deritanishme thuhet se dy janë pistat paraprake të hetimit, një për konflikt banal të çastit dhe tjetra për njohje të mëparshme dhe përfshirje në aktivitete të paligjshme në Angli.

Leave a Comment