‘Si plehrë më kanë hedhur, jam ndier e poshtëruar…’ Rrëfimi i polices së burgut që shkarkua padrejtësisht nga puna

U shkarkua mbas problemeve shëndetësore që shfaqi gjatë shërbimit, që e kishin nxjerrë turni i tretë ndonëse ishte nënë fëmijësh të mitur dhe e ve, pra kryefamiljare. Fitoi procesin i cili zgjati në kohë dhe kur ju dha fitorja, kishte gjetur ndërkohë një pozicion tjetër pune.

Pjesë nga intervista në podcastin e agazetares Anila Hoxha:

Anila Hoxha: Albana, sa vite punove si efektive në policinë e burgjeve?

Albana Ruci: 12 vjet.

Anila Hoxha: Çfarë ndodhi?

Albana Ruci: Ka qenë një moment, ka qenë data 20 gusht 2020, para se të merrja shërbimin, unë operoja në sallën operative. Ishim 5 efektivë që operonim atje. Atë ditë njëra nga koleget ka qenë me leje të zakonshme dhe tjetra ishte me raport. I binte që ne ishim tre dhe ne punonim me tre turne. I pari, i dyti, i tretë… Unë atë natë merrja turnin e tretë. Nuk isha mirë nga gjendja shëndetësore dhe para se të marrim shërbimin, ne marrim një instrutazh nga oficerat e shërbimit. E sinjalizova, e njoftova që unë nuk jam e aftë për shërbim sot. Meqë ishte situata që dy nga efektivat mungonin, më tha që “turni i tretë është, nuk ka shumë dinamikë brenda në paraburgim. Paraburgim është, nuk është burg që janë vështirësitë që mund të arratisen”. Ne monitorojmë, nqs. unë konstatoja ndonjë parregullsi, e njoftoja “shihe tek ky numër, psh. tek kjo kamer”.

Anila Hoxha: Qëndrove, meqënëse ishe në pamundësi?

Albana Ruci: Po.

Anila Hoxha: Megjithëse ishe në pamundësi shëndetësore, ishte e pamundur të pushoje dhe e more shërbimin?

Albana Ruci: E mora shërbimin. Shërbimi filloi shumë mirë. Nuk e mbaj mend se cfarë orë ka qenë. I kam thënë që nuk po ndihem mirë, megjithëse ishte edhe gusht dhe mbaj mend që ka qenë shumë vapë. Janë shumë faktorë ndoshta edhe mosha. Edhe i them “sinjalizoje oficerin, që nuk po ndihem mirë. A mund të zbres pak poshtë”? Se kishin kondicioner. Kurse ne, nuk kishim kushte lart, tek salla. “Po patjetër. Se monitoroj unë”, tha. Ndërkohë, që sinjalizohej edhe infermieri që operonte, që kishte turnin brenda. Ka dalë jashtë, më ka bërë një gjilpërë.

Anila Hoxha: Këto janë të vërtetuara me…?

Albana Ruci: Jo vetëm ajo. Ata i kanë deklaruar.

Anila Hoxha: Vjen infermieri për të të asistuar…?

Albana Ruci: Vjen infermieri më bën një gjilpërë. Qetësohu më tha. Pas disa ditësh, më njoftojnë që duhet të lija punën sepse jam konstatuar me shkelje të rënda.

Anila Hoxha: Cilat ishin këto shkeljet sipas tyre? Kishe lënë vendin e shërbimit?

Albana Ruci: Po, kisha lëvizur nga vendi i shërbimit. Ndërkohë që unë kisha lëvizur me leje dhe kjo është brenda rregullores.

Anila Hoxha: Dhe për ndihmë mjekësore?

Albana Ruci: Mora ndihmë mjekësore. Është një klauzolë që bie ndesh me rregulloren atje, nqs. operatori lëviz nga vendi i shërbimit duhet të zëvëndësohet nga ndihmësi, por është edhe një klauzolë tjetër që bie ndesh me këtë që thotë “asnjë njeri nuk lejohet të hyjë në sallë pa u trajnuar në sistemin e kamerave”. Kështu që ndihmësi ishte i patrajnuar me sistemin e kamerave. Gjithsesi, ne monitoronim tek kamerat që ishin poshtë tek zyra e informacionit sepse unë po merrja ajër, nuk isha mirë.

Anila Hoxha: Nuk e morën fare parasysh? Pra, bëre një kundërshtim? Të sollën një shkresë? Çfarë ndodhi?

Albana Ruci: Po, më sollën një shkresë. Më informuan që kjo është shkelja që ke bërë. Mua mu duk qesharake për momentin. Inat është. Sëmurë kam qenë. Nuk i morën parasysh.

Anila Hoxha: Kishe të drejtë të mbroheshe aty? Kishte një komision tjetër?

Albana Ruci: Jo, sepse direkt shkonim në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, si çështje. Kam dalë me masën disiplinore në komision. Nuk e pranuan absolutisht as deklaratën e oficerit, as të ndihmësit, as të infermierit “që kjo zonja ka qenë e sëmurë”. Jo vetëm ajo, ne i shkruajmë ligjet, ne i shkelim, ne bëjmë përjashtime. Unë isha nga të parat që kam filluar atje, trajnuar, certifikuar, testuar nga Ministria e Drejtësisë, nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe nga Komiteti i Helsinkit.

Anila Hoxha: Nuk u dëgjove sërisht? Meqënëse kishe këtë karrierën, këtë formimin, përkushtimin. Meqënëse ishe e sëmurë dhe ishe në detyrë.

Albana Ruci: Jo vetëm ajo, por edhe një kryefamiljare me tre jetimë, as këtë nuk e morën parasysh. Më hodhën, m’u si plehrë më kanë hedhur. Jam ndier shumë e poshtëruar, shumë e fyer, kisha një përgjegjësi të madhe, sepse fëmijët i kisha ende të vegjël. Me qira isha, thosha si do mbijetoj. Gjithsesi dola sërisht në komision sepse ia deleguan Ministrisë së Drejtësisë. Aty pothuajse kam dalë gati 5 (pesë) herë kam shkuar në Tiranë. Ata më rikthenin në punë, drejtori i përgjithshëm i burgjeve linte në fuqi vendimin e vet. Dmth kjo donte të thoshte kishte diçka në mes.

Anila Hoxha: Çfarë mund të ishte kjo? Kishin punësuar dikë tjetër?

Albana Ruci: Jo, jo. Mendoj që drejtori i atëhershëm i paraburgimit në Vlorë duhet të kishte diçka personale me oficerin sepse ai i kishte dy vërejtje. Unë nuk kisha marrë asnjëherë vërejtje në kaq vite. Dhe nuk u mor as kjo parasysh, mendoj unë kjo do jetë shkaku.

Anila Hoxha: Nuk u ktheve? Sa kohë prite?

Albana Ruci: Gati dy vjet po. Ndërkohë që unë kisha hapur një gjyq.

Anila Hoxha: Kërkove kthimin në punë?

Albana Ruci: Kërkova rikthimin në punë. Kërkova mbi të gjitha dëmshpërblimin moral sepse po ndihesha më shumë keq edhe para njerëzve. Pse të larguan të gjithë? Kush ishte motivi? Duke u nisur edhe nga statusi im civil edhe mund të më gjykonin, ndërkohë që ne monitorohemi nga kamerat. Vetëm salla kishte 6 kamera.

Anila Hoxha: Çfarë ndodhi në proces, në shkallën e parë?

Albana Ruci: Fitova gjyqin, u riktheva në punë. Ndërkohë që unë kisha filluar në një institucion tjetër.

Anila Hoxha: Zgjati procesi?

Albana Ruci: Zgjati goxha. Unë ndihem ende e fyer. Sepse unë tre fëmijët i lija vetëm, punoja me të tre turnet. Nuk e meritoja unë këtë (qan). Nuk e meritoja.

Anila Hoxha: Fillove detyrën tjetër dhe ndërkohë je e bindur që do shkosh deri në fund ta marrësh gjithë atë…? E kundërshtoi institucioni që humbi shkallën e parë?

Albana Ruci: Patjetër. Unë ia kam lënë në dorë avokatit tim dhe nëpërmjet tij informohem. Vazhdon apeli.

Anila Hoxha: Ku e gjen gjithë këtë këmbëngulje? Edhe megjithëse ke fituar? Ke filluar një punë tjetër? Do ti shkosh deri në fund, me këtë forcë, me këtë kurajo?

Albana Ruci: Karakteri im. Ndoshta mëmësia e gërshetuar edhe me atësinë. Se të bësh rolin e nënës dhe të babës është shumë e vështirë (qan).

Anila Hoxha: Sa kohë qëndrove pa punë?

Albana Ruci: Pothuajse 2 (dy) vjet e gjysëm, po.

Anila Hoxha: Pse ndihesh e fyer?

Albana Ruci: Në radhë të parë kam sakrifikuar shumë për atë punë. Edhe në testimet, edhe në trajnimet. Jam trajnuar gati mbi 6 muaj dhe trajnoheshim çdo 3 muaj, çdo 6 muaj. Kur kam aplikuar atje kam aplikuar si psikologe, në bazë të shkollës që kisha mbaruar. Ishin të zëna vendet. Ok efektive, i thashë. Më panë një çik skeptike, se ndoshta dukesha e re. Kam qenë përgjegjëse në seksionin e minorenëve edhe vështirësia më e madhe që të shikoja fëmijët të vegjël mbyllur në dhoma se termi “qeli” ne nuk e përdornim më. Në fillim edhe qaja, “obobo thoja ku punoj” edhe më vinte keq. Gjithsesi, edhe kam ngrënë edhe grushte. Sepse ne i mbronim me jetë. Ka ndodhur një konflikt me të rriturit, shumë vështirësi. Kemi shoqëruar kriminelë në seancat gjyqësore, kemi rrezikuar jetën. Thjesht fakti që unë lija 3 fëmijët të vegjël në shtëpi dhe vrapoja në shtëpi sa herë që më thërrisnim. Mungonte efektivi kam bërë edhe 16 orë. Kush tha bravo?! Askush. Për arsye shëndetësore, mua nuk më dha askush gishtin, të më thoshin ok, tjetër herë nuk do përsëritet. Sepse ka edhe shkallë atje.

Anila Hoxha: Çfarë i dha kaq shumë fuqi punëdhënësit në rastin tuaj?

Albana Ruci: Në rastin tim unë e quaj nepotizëm.

Anila Hoxha: Si veprove mbasi të hoqën?

Albana Ruci: Po ta them në mënyrë figurative. Bota rrëshkiti në këmbët e mia. Unë dilja nga shtëpia dhe ndihesha shumë e fyer. Sepse njerëzit më thoshin “për çfarë të hoqën nga puna, kush ishte motivi që të hoqën nga puna?”. Qoftë edhe me ironi. Unë doja të vija të drejtën time morale në vend. Pastaj materiale.

Anila Hoxha: U këshillove me dikë apo teksa po përpiqeshe të bisedoje me familjen?

Albana Ruci: Unë thjesht… Jo, unë në vendimmarrjet në jetën time i kam marrë vetë gjithmonë. Dhe mirë më kanë dalë. Kontaktova nipin tim që është avokat, Thoma Dhimolea. U konsultova me të.

Anila Hoxha: E pate të vështirë ti mblidhje provat?

Albana Ruci: Në momentin që i ke të parashtruara qoftë edhe të memorizuara në trurin tënd nuk është e vështirë. Se besoj.

Anila Hoxha: Si justifikoheshin në shkallën e parë, juristët e drejtorisë?

Albana Ruci: Thjesht ka lëvizuar nga vendi i shërbimit dhe ka kryer shkelje. Shkelje të rëndë flagrante. Lëvizje nga vend shërbimi. Pa marrë parasysh që ne jemi edhe njerëz. Kemi edhe nevoja personale.

Anila Hoxha: Gjykata tha jo, gjykata tha që ju ishit sëmurë edhe kishit edhe nevoja personale?

Albana Ruci: Po, duke shqyrtuar ose rishqyrtuar dokumentacionin, nxorri në konkluzionin që kisha të drejtë.

Anila Hoxha: Si tu duk atë ditë kur tha gjykata të jap të drejtë?

Albana Ruci: Faktikisht, u çlirova shumë dhe desha ta falenderoja me zemër atë gjyqtarin (qan).

Anila Hoxha: Një mesazh për këdo që largohet nga puna?

Albana Ruci: Forcë. Luftoni me forcë për të drejtat tuaja.

Leave a Comment