Zhdukja e 23-vjeçarit kuksian, apeli i të afërmit: Ju përgjërohemi! Mendojeni si djalë deputeti, jo si një fukara

Një 23-vjeçar nga Kukësi është raportuar i zhdukur nga familjarët. Policia njoftoi se 23-vjeçari, Meledin Adili, humbi kontaktet me familjen, kur ai kishte dalë të mblidhte boronica në Bjeshkë.

Deri më tani dyshohet se Adili ka përfunduar në Kosovë, por ende nuk është vërtetuar.

Vullnet Beluli, i afërm i Meledin Adilit nëpërmjet Report Tv ka bërë apel për ndihmë që të nisin kërkimet me dron, qen kufiri apo helikopter. Ai shton se policia duhet të kërkojë sikur është djali i një deputeti dhe jo djali i një fukarai.

Beluli shprehet:

Kemi filluar kërkimet që në orën 17:00. Moti ka qenë me vetëtima, ne u larguam se moti ishte shumë i keq, kemi nisur kërkimet në orën 4 të mëngjesit, pas 10 orëve kërkim nuk kemi gjetur gjë, duhet ndërhyrje ju lutem nga shtetit, ju lutem ju përgjërohem, se është një djalë i ri 26-vjeç, llogariteni sikur është fëmija i një deputeti, edhe pse ne jemi fukarenj dhe dilnim dhe mbledhim boronica.

Sado ta njohësh rrugën, humbësh, ka shkëmbinj të mëdhenj, ka humnera, kemi kërkuar ndihmën e autoriteteve, deri tani kërkimet e policisë, në këtë zonë duhet të kërkojnë në bjeshkën e Brodit, Kazanet e Brodit, bjeshka është e pafundme. Ai ka numër telefoni, nuk i shkon zilja, si mund ta gjejnë me GPS, ai ka dalë për copë buke. Policia e Kosvës ka ndërhyrë me makina, po me makina nuk lëvizet, se duhet ecur me këmbë, bjeshka është e rrezikshme nuk shihet njeriu me njeriun, prej mjegullës. Edhe në korrik është moti i paqëndrueshëm, është lartësi mbi 1600 metra.